VENDIM Nr. 212,

datë 20.4.2018

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË VENDIMIN NR. 953, DATË 29.12.2014,

TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR DISPOZITAT ZBATUESE TË LIGJIT NR. 92/2014,

“PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR”

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave VENDOSI: Në vendimin nr. 953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në fund të pikës 3, të nenit 8, shtohet paragrafi, me këtë përmbajtje: “Lista e makinerive dhe e pajisjeve, që janë drejtpërdrejt të lidhura me investimin, në funksion të realizimit të kontratave të investimit, me vlerë të barabartë ose më të madhe se 50 milionë lekë, për prodhimin e energjisë së rinovueshme nga dielli, me fuqi të instaluar

prodhimi mbi 0.5 mw, është sipas aneksit 3, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Autoriteti doganor bashkëpunon me ministrinë përgjegjëse për energjinë për të evidentuar subjektet e autorizuara/licencuara për prodhimin e energjisë së rinovueshme nga dielli, me fuqi të instaluar prodhimi mbi 0.5 mw, për të cilat aplikohet lista e makinerive dhe e pajisjeve sipas aneksit 3.”.

Neni 2

Pas nenit 10 shtohet neni 10/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 10/1

Afati i paraqitjes së deklaratës dhe regjistrave përmbledhës për kategorinë e personave të tatueshëm me qarkullim vjetor dy deri në pesë milionë lekë Në zbatim të nenit 107, të ligjit, personat e tatueshëm, që realizojnë një qarkullim vjetor mbi kufirin minimal të regjistrimit për TVSH-në, të përcaktuar në pikën 1, të nenit 11, të këtij vendimi, por jo më shumë se 5 milionë lekë, dorëzojnë deklaratën e TVSH-së mbi baza mujore, brenda datës 14 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Gjithashtu, në zbatim të nenit 109 të ligjit, kjo kategori personash të tatueshëm e shoqëron deklaratën e TVSH-së me regjistrat përmbledhës, përkatësisht librin e blerjes dhe librin e shitjes, mbi baza mujore, brenda datës 10 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Parashikimet e mësipërme nuk zbatohen për personat e tatueshëm, për të cilët kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është zero, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre.”.

Neni 3

Pikat 2 dhe 3, të nenit 11, ndryshohen, si më poshtë vijon:

“2. Kufiri minimal i regjistrimit për TVSH-në për personat e tatueshëm, që ofrojnë shërbime në veprimtari ekonomike, sipas profesioneve të tilla si: avokat, noter, mjek i specializuar, dentist, dentist i specializuar, farmacist, infermier, veteriner, arkitekt, inxhinier, mjek-laborant,

projektues, ekonomist, agronom, ekspert kontabël i regjistruar, kontabilist i miratuar dhe vlerësues i pasurisë, pavarësisht nga qarkullimi vjetor i tyre, është zero. Të gjithë këta janë persona të tatueshëm, të regjistruar për TVSHnë, edhe nëse kryejnë veprimtari të përjashtuar sipas ligjit.

3. Për prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit dhe që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike si fermerë individualë, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 5 000 000 (pesë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Prodhuesit bujqësorë, për të cilët zbatohet regjimi i veçantë i skemës së kompensimit të fermerëve, por që e zhvillojnë veprimtarinë ekonomike në kuadrin e një sipërmarrjeje bujqësore të organizuar si shoqëri e bashkëpunimit bujqësor (SHBB), janë të përjashtuar nga aplikimi i kufirit si më sipër, për regjimin e veçantë të skemës së kompensimit, me kushtin që kjo SHBB të kryejë vetëm veprimtari të shitjes së produkteve bujqësore të anëtarëve të saj te tatimpagues që nuk janë pjesë e skemës së kompensimit. Në këtë rast, blerësi, person i tatueshëm, lëshon faturë tatimore vetëm për shitësin, shoqëri e bashkëpunimit bujqësor, ndërsa kjo e fundit nuk lëshon faturë tatimore, sipas parimeve të kësaj skeme për fermerët anëtarë të SHBB-së. Nëse shoqëria e bashkëpunimit bujqësor, krahas shitjeve në kuadrin e regjimit të veçantë të skemës së kompensimit të fermerëve, kryen edhe veprimtari të tjera, regjistrohet në skemën normale të aplikimit të TVSH-së.”.