Akcizat

    AKCIZAT NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË
     Mare nga www.dogana.gov.al/

    Deklarimi i Akcizës

    Deklarimi i akcizës bëhet nga:

    • depozituesi i miratuar;
    • pritësi i regjistruar;
    • dërguesi i regjistruar;
    • përfaqësuesi fiskal;
    • individi (personi fizik natyror).

    2. Deklarimi bëhet:

    • me shkrim;
    • në mënyrë elektronike, duke përdorur sistemin elektronik;
    • me gojë apo me çdo veprim tjetër, me anë të të cilit mallrat mund t’i nënshtrohen një procedure fiskale vetëm nga personat fizikë natyrorë (individi) për sendet/dërgesat e tyre personale, që janë subjekt i pagesës së akcizës, sipas përcaktimeve në aktet nënligjore, në zbatim të këtij ligji.

    Operatorëve që janë të pajisur me Autorizim Akcize, nga ana e Administratës Doganore iu është vënë në dispozicion aksesi në sistemin Asycuda World për të bërë deklarimin e akcizës nga ambienti i Magazinës së tyre Fiskale. Në momentin e daljes së produktit të akcizës nga Magazina Fiskale, operatori ekonomik harton dokumentin DSHA.

    Produktet që u nënshtrohen formaliteteve të lëvizjes me dokument shoqërues administrativ (DSHA), janë:

    • të gjitha produktet që u nënshtrohen detyrimeve të akcizës, përcaktuar në shtojcën nr. 1 bashkëlidhur;
    • lëndët e para dhe ndihmëse që shërbejnë për prodhimin/përpunimin e produkteve të përcaktuara në shtojcën nr. 1 bashkëlidhur Pullat fiskale.

    Dokumenta ndihmëse

    Procedurat e pajisjes me autorizim për magazinë fiskale

    Prodhimi, përpunimi dhe mbajtja e mallrave të akcizës në regjimin e pezullimit të detyrimeve, kryhen në një magazinë fiskale.

    “Magazinë fiskale” është një ambient, qartësisht i ndarë nga ambientet e tjera, ku produktet e akcizës prodhohen, përpunohen, mbahen, priten ose dërgohen nën një regjim pezullues të detyrimeve nga një depozitues i miratuar në ushtrimin e aktivitetit të tij, sipas kushteve të përcaktuara nga autoritetet doganore.

    “Depozitues i miratuar” është një person fizik ose juridik, i autorizuar nga autoritetet doganore në ushtrimin e aktivitetit të tij për të prodhuar, përpunuar, mbajtur, pritur ose dërguar produkte që i nënshtrohen akcizës nën regjimin e pezullimit të detyrimeve në një magazinë fiskale.

    Për tu pajisur me Autorizim për magazinë fiskale, Operatori duhet të plotësojë një Kërkesë tip(Aneksi 11 bashkëlidhur), e cila i drejtohet zyrës doganore territorialisht kompetente të vendit ku ndodhet magazina e prodhimit, përpunimit apo stokimit/depozitimit të produkteve të akcizës.

    Kërkesës tip duhet t’i bashkëlidhen dokumentet e mëposhtme:

    • Kopje e titullit të lejes apo licencës së lëshuar nga Qendra Kombëtare e Licencimit nëse subjekti për ushtrimin e aktivitetit duhet të pajiset me një licencë apo leje të parashikuar nga shtojca e ligjit për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë.
      Magazinave fiskale, të cilat deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij vendimi nuk kanë pasur detyrim depozitimin e dokumentit të QKL-së, u lihet afat gjashtë muaj, duke filluar nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, për depozitimin e dokumentit të QKL-së pranë degës doganore mbikëqyrëse.
    • Prokura e përfaqësuesit ligjor për marrjen përsipër të përgjegjësive të shoqërisë, për rastet kur nuk përcaktohet në ekstraktin e QKR-së;
    • Dëshmi penaliteti e përfaqësuesit të shoqërisë/administratorit dhe aksionerëve të shoqërisë;
    • Planimetria e ambienteve të planifikuara për magazinë fiskale, të shoqëruara me foto për çdo plan, si brenda ashtu edhe jashtë;
    • Plani dhe përshkrimi i instalimeve të ndryshme që do të jenë pjesë e magazinës fiskale (instalime, depo, rezervuarë, tubacione etj.);
    • Akti i kalibrimit të kontejnerëve (depozitave, sillosa etj.) nga DPM-ja, në rastet kur do të depozitohen lëngje apo materiale rifuxho. Për rastet kur marrja e certifikatës së kalibrimit është në proces, të depozitohet kërkesa e aplikimit, shoqëruar me certifikatat e kalibrimit të disponueshme në momentin e prodhimit/importit;
    • Certifikimet përkatëse për instrumentet dhe pajisjet matëse nga DPM-ja;
    • Deklarata për natyrën dhe pozicionin tarifor të produkteve që priten, dërgohen, mbahen dhe në rastin e magazinave të prodhimit edhe të lëndëve të para dhe produkteve të prodhuara;
    • Karta teknologjike me parametrat e punës, lëndët e para dhe produktet përfundimtare të përfituara sipas standardeve të përcaktuara më parë;
    • Vlerësimi i sasive të produkteve të akcizës të prodhuara, të përpunuara dhe të depozituara/të stokuara për një periudhë të caktuar (vjetore apo që mbulon aktivitetin nëse është sezonale);
    • Dokumenti i garancisë;
    • Informacioni për sistemin kontabël që përdor shoqëria, si dhe masat e kontrollit të brendshëm e metodat e kontrollit që ajo përdor;
    • Konfirmimi se shoqëria nuk ka asnjë detyrim të pashlyer ndaj administratës doganore në momentin e aplikimit.

    Procedura e autorizimit të magazinës fiskale

    • Paraprakisht kërkesa për pajisjen me autorizim shqyrtohet dhe miratohet nga zyra doganore territorialisht kompetente.
    • Pasi e miraton kërkesën, Dega Doganore, përcjell për procedim të mëtejshëm pranë DPD dosjen e plotë të depozituar nga kërkuesi, duke mbajtur pranë saj një kopje identike, si dhe e shoqëron atë edhe me opinionin e saj zyrtar në lidhje me kërkesën dhe mundësinë e mbikëqyrjes të kontrollit të magazinës fiskale.
    • Në rast se plotësohen të gjitha kërkesat e parashikuara, lëshohet autorizimi përkatës, pasi të jenë gjeneruar në sistemin informatik kodet fiskale specifike, sipas modelit në aneksin 12. Autorizimet lëshohen pa afat kohor.

    Çdo ndryshim apo modifikim, që lidhet me depozitat, rezervuarët, instalimet, kushtet e shfrytëzimit të magazinës fiskale dhe çdo ndryshim në dokumentacionin e dorëzuar për marrjen e autorizimit, duhet të jetë objekt i një informacioni paraprak për zyrën doganore mbikëqyrëse, e cila, pas kontrollit, verifikimit dhe vlerësimit, përcjell këto ndryshime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, e cila vlerëson dhe pasqyron ndryshimet apo modifikimet në autorizimin fillestar.

    Dokumenta ndihmëse

    Pajisja me Autorizim për Pritës të Regjistruar

    Për tu pajisur me Autorizim për statusin e Pritësit të regjistruar duhet që aplikuesi të plotësojë kushtet e mëposhtme:

    • Të jetë i regjistruar në Republikën e Shqipërisë dhe të paraqesë ekstraktin historik nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit (QKR);
    • Të depozitojë një garanci të nevojshme për të mbuluar veprimet e lëvizjes së produkteve të akcizës me pezullim të detyrimeve, vetëm në rast se kërkuesi do të kërkojë të garantojë lëvizjen;
    • Të paraqesë dëshmi penaliteti të përfaqësuesit të shoqërisë/administratorit;
    • Të paraqesë dëshmi që nuk ka detyrime të pashlyera ndaj administratës doganore;
    • Të japë një përshkrim të produkteve të akcizës që do të trajtojë;
    • Të paraqesë të dhëna për kapacitetin maksimal mbajtës të ambientit/ve të stokimit.

    Detyrimet e pritësit të regjistruar

    Pritësi i regjistruar nuk mund të mbajë dhe as të dërgojë mallra akcize nën regjimin e pezullimit të detyrimeve.

    Pritësi i regjistruar përmbush kërkesat e mëposhtme:

    • mban regjistrimet për produktet e akcizës që trajton;
    • lejon çdo kontroll që u mundëson autoriteteve doganore për t’u siguruar se mallrat realisht kanë mbërritur.

    Dokumenta ndihmëse

    Detyrimet e depozituesit të miratuar

    Depozituesi i miratuar, i cili është pajisur me autorizim akcize ka detyrime si më poshtë:

    • të japë një garanci, me qëllim që të mbulojë riskun e mundshëm në prodhimin, përpunimin ose mbajtjen e mallrave të akcizës;
    • të mbajë për çdo magazinë fiskale regjistrimet dhe kontabilitetin e stokut dhe të lëvizjes së mallrave të akcizës;
    • të plotësojë kërkesat e autoriteteve doganore për shkëmbim elektronik të të dhënave;
    • të përmbushë të gjitha kërkesat e vendosura nga administrata doganore, për të mundësuar mbikqyrjen e magazinës fiskale;
    • t’u mundësojë autoriteteve doganore, me kërkesën më të parë, kontrollin mbi mallrat dhe dokumentet;
    • t’u sigurojë autoriteteve doganore ambientet e duhura për zyrën doganore, me pajisjet e nevojshme, si dhe të përballojë shpenzimet për funksionimin e tyre;
    • të marrë përsipër shpenzimet për kontrollet e kryera sipas kërkesës së tij jashtë orarit zyrtar të funksionimit të zyrës doganore;
    • të deklarojë llojin e procesit të prodhimit që do të kryejë dhe kartat teknologjike të prodhimit.

    Dokumenta ndihmëse

    Revokimi i Autorizimit

    Autorizimi i depozituesit të miratuar pushon së qeni i vlefshëm:

    • në rastin e shpërbërjes së një personi juridik;
    • kur hiqet dorë vullnetarisht nga autorizimi i depozituesit të miratuar;
    • kur autoritetet doganore revokojnë autorizimin.

    A) Revokimi i autorizimit me kërkesë të depozituesit të miratuar

    Pushimi i vlefshmërisë së autorizimit të magazinës fiskale bëhet bazuar në kërkesën me shkrim të depozituesit të miratuar, drejtuar zyrës doganore mbikëqyrëse.

    Kërkesa për pushim të vlefshmërisë së një autorizimi, për shkak të shpërbërjes së një personi juridik apo heqjes dorë vullnetarisht nga autorizimi bëhet minimalisht dy muaj përpara procedurës ligjore për shpërbërjen sipas legjislacionit në fuqi apo afatit të parashikuar/të vendosur prej tij, për heqjen dorë vullnetarisht nga autorizimi.

    Kërkesa duhet të përmbajë informacion për:

    • datën efektive të mbarimit të shfrytëzimit apo të mbylljes së magazinës fiskale;
    • stokun e disponueshëm për tip produkti, volumet e të cilëve janë objekt i një inventari fizik në prani të autoritetit doganor;
    • destinacionin që shfrytëzuesi synon t’i japë stokut, përfshirë edhe mbetjet e produkteve.

    Zyra doganore mbikëqyrëse, pas marrjes së kërkesës kryen kontrollet dhe verifikimet e nevojshme dhe, në përfundim të tyre, përgatit një raport të hollësishëm, të cilin ia përcjell, së bashku me dosjen përkatëse, Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

    Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, pas shqyrtimit të dosjes dhe të raportit të zyrës doganore mbikëqyrëse, merr vendimin për mbylljen e autorizimit, duke përcaktuar detyrimet respektive të nevojshme për mbylljen e regjimit për depozituesin e miratuar, si dhe për zyrën doganore mbikëqyrëse dhe ua komunikon të dyja palëve.

     B) Revokimi i autorizimit nga Autoriteti Doganor.

    Pushimi i vlefshmërisë së një autorizimi mund të bëhet me nismën e autoriteteve doganore përmes revokimit duke përmendur këtu disa nga rastet, por pa u kufizuar në to:

    • çdo ndryshim të ndonjërit prej elementëve përbërës të magazinës fiskale që nuk ka qenë objekt i ndonjë autorizimi modifikues;
    • kur depozituesi i miratuar tregon mungesë mirëkuptimi dhe konkretisht:

    i) provokon çdo lloj pengese apo vonese për të zbatuar kontrollin dhe në rast se ai nuk paraqet asnjë arsye për këtë vonesë apo në rast se autoritetet doganore nuk binden nga argumentimi i arsyes;
    ii) mjaftohet vetëm duke dhënë çelësat e magazinave, depove etj. dhe refuzon të shoqërojë autoritetet doganore gjatë kryerjes së kontrolleve.

    PEZULLIMI I AUTORIZIMIT
    Me konstatimin e rasteve të parashikuara në legjislacionin për akcizat, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave merr vendim për pezullimin e autorizimit, për një afat deri në 30 ditë, duke paraqitur arsyet e këtij vendimi dhe u njoftohet operatorit ekonomikë dhe zyrës doganore mbikëqyrëse. Në rastet kur operatori ekonomik nuk ka mundur të rregullojë situatën brenda afatit 30 ditor, por siguron që kushtet mund të përmbushen nëse afati i pezullimit zgjatet, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave mund të shtyjë afatin e pezullimit edhe për 30 ditë të tjera.

    Nëse brenda afatit të pezullimit operatori ekonomik plotëson kushtet dhe kriteret që duhet të plotësohen sipas ligjit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave anulon pezullimin dhe informon operatorin ekonomik dhe zyrën doganore mbikëqyrëse lidhur me këtë vendim.”.

    REVOKIMI

    Nëse operatori ekonomik nuk plotëson mangësitë që kanë çuar në pezullimin e autorizimit, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave merr vendim për revokimin e autorizimit duke njoftuar zyrën doganore mbikëqyrëse dhe depozituesin e miratuar në lidhje me vendimin e revokimit;

    Pas Revokimit të Autorizimit, Dega Doganore dhe Operatori marrin masa për mbylljen e regjimit i cili konsiston në dhënien e një destinacioni për mallrat nën pezullim detyrimesh, si më poshtë vijon:

    • hedhje për konsum;
    • eksport;
    • rieksport;
    • dërgim në një magazinë tjetër fiskale;
    • shkatërrim.

    KUJDES!
    Depozituesi i miratuar shkëputet nga detyrimet e tij vetëm pas shlyerjes së të gjitha detyrimeve fiskale për të gjitha produktet e vendosura nën regjimin e pezullimit të detyrimeve.

    Dokumenta ndihmëse

    Përkufizime

    1. “Administratë doganore” janë strukturat qendrore dhe vendore të Shërbimit Doganor Shqiptar që, në zbatim të kompetencave të tyre, janë të ngarkuara me administrimin e akcizës.

    2. “Akcizë” është një taksë që zbatohet mbi produktet e akcizës, të prodhuara dhe të importuara, që hidhen për konsum në territorin e Republikës së Shqipërisë.

    3. “Produkte që i nënshtrohen akcizës” janë:

    • produktet energjetike;
    • alkooli dhe pijet alkoolike;
    • duhani e produktet e duhanit;
    • produktet e tjera, të përcaktuara nga ky ligj.

    4. “Depozitues i miratuar” është një person fizik ose juridik, i autorizuar nga autoritetet doganore në ushtrimin e aktivitetit të tij për të prodhuar, përpunuar, mbajtur, pritur ose dërguar produkte që i nënshtrohen akcizës nën regjimin e pezullimit të detyrimeve në një magazinë fiskale.

    5. “Regjim doganor pezullues” është një nga procedurat apo regjimet e parashikuara në Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë, që ka të bëjë me mbikëqyrjen doganore të mallrave joshqiptare gjatë futjes së tyre në territorin doganor shqiptar, në magazinimin e përkohshëm, në zonat e lira ose magazinat e lira ose në një nga regjimet e parashikuara në këtë Kod.

    6. “Regjim i pezullimit të detyrimeve” është një regjim që zbatohet në prodhimin, përpunimin, mbajtjen ose lëvizjen e mallrave të akcizës të pambuluara nga një procedurë doganore pezulluese ose regjim doganor pezullues, i cili ka pezulluar pagesën e akcizës.

    7. “Importim i mallrave të akcizës” është futja në territorin shqiptar të mallrave të akcizës që, në momentin e hyrjes, nuk janë futur në një “Procedurë doganore pezulluese” ose “Regjim doganor pezullues”, si dhe dalja e mallrave të akcizës nga një “procedurë doganore pezulluese” ose “regjim doganor pezullues”.

    8. “Pritës i regjistruar” është një person fizik ose juridik, i autorizuar nga autoritetet doganore për ushtrimin e aktivitetit të tij dhe sipas kushteve të përcaktuara nga këto autoritete, për të pritur mallra akcize që lëvizin nën një regjim pezullues të detyrimeve brenda territorit të vendit. Ky operator nuk mund të prodhojë, të mbajë ose të dërgojë produkte me pezullim të detyrimeve të akcizës.

    9. “Dërgues i regjistruar” është një person fizik ose juridik, i autorizuar nga autoritetet doganore në ushtrimin e aktivitetit të tij dhe sipas kushteve të përcaktuara nga këto autoritete, vetëm për të dërguar produkte të akcizës në një regjim pezullues të detyrimeve pas çlirimit të tyre për qarkullim të lirë sipas dispozitave përkatëse të Kodit Doganor.

    10. “Magazinë fiskale” është një ambient, qartësisht i ndarë nga ambientet e tjera, ku produktet e akcizës prodhohen, përpunohen, mbahen, priten ose dërgohen nën një regjim pezullues të detyrimeve nga një depozitues i miratuar në ushtrimin e aktivitetit të tij, sipas kushteve të përcaktuara nga autoritetet doganore.

    11. “Territor” është territori doganor, sipas përcaktimit përkatës në Kodin Doganor të Republikës së Shqipërisë.

    12. “Përfaqësues fiskal” është një person juridik ose fizik, i miratuar dhe i licencuar nga autoritetet doganore, që vepron në emër dhe për llogari të depozituesit të miratuar, pritësit dhe dërguesit të regjistruar.

    13. “Borxh” është detyrimi që ka depozituesi i miratuar, pritësi dhe dërguesi i regjistruar, përfaqësuesi fiskal ose çdo person tjetër, sipas këtij ligji, për të paguar shumën e detyrimeve të akcizës, që zbatohet për produktet që i nënshtrohen detyrimit të akcizës.

    14. “Autorizim akcize” është autorizimi i lëshuar nga autoritetet doganore ndaj një personi fizik ose juridik, përmes të cilit këta të fundit, si pjesë e aktivitetit të tyre, mund të presin, të prodhojnë, të ruajnë, të magazinojnë ose të kryejnë operacione të tjera me produktet e akcizës në magazinat fiskale dhe të dërgojnë produkte akcize nën regjimin e pezullimit të detyrimeve.

    15. “Përdorues i përjashtuar” është një person fizik ose juridik, të cilit i është dhënë një autorizim nga autoritetet doganore, sipas të cilit ai, si pjesë e aktivitetit të tij dhe për qëllime sipas seksionit 3 “Përjashtimet”, mund të blejë produkte akcize pa qenë subjekt i pagesës së akcizës.

    16. “Pullë e akcizës” është pulla e akcizës e Qeverisë Shqiptare, e përdorshme në përputhje me këtë ligj për produktet që do t’u vendoset kjo pullë akcize dhe që renditen në shtojcën 1, seksionet 2 dhe 3, përveç birrës së prodhuar në vend, për të cilën do të vendoset një kod sigurie.

    17. “Pullë fiskale” është pulla e Qeverisë Shqiptare, që u aplikohet produkteve të akcizës, në formën e pullës së akcizës ose kodit të sigurisë.

    18. “Kod i sigurisë” është një shenjë direkte që aplikohet për produktet e birrës apo në produkte të tjera të pijeve alkoolike që prodhohen në Shqipëri nga prodhuesit në shkallë të madhe apo importohen nga importuesit e autorizuar për këtë qëllim nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave.

    19. “Prodhuesit në shkallë të madhe” janë prodhuesit e përcaktuar si të tillë me udhëzim të Ministrit të Financave.

    Ligji 61/2012 “Për Akcizat në Republikën e Shqipërisë” ju krijon mundësinë, të gjithë operatorëve që importojnë/prodhojnë/stokojnë produkte akcize, të mbajnë në pezullim pagesën e Akcizës dhe ta paguajnë në momentin e hedhjes për konsum të produktit të akcizës.

    Legjislacioni i ri mbi akcizat është i përafruar pjesërisht me aktet e BE-së, dhe administrohet nga dogana. Ligji nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar ka përafruar pjesërisht këto akte të BE-së: Direktiven e BE-se nr. 2008/118; Direktiven e Këshillit 2003/96/ të datës 27 Tetor 2003; Direktiven 92/83/KEE e datës 19 tetor 1992; Direktiven 92/84/KEE e datës 19 tetor 1992; Direktiven 92/12/EEC e 25 shkurt 1992; Vendimin e Komisionit nr. 428 datë 22.06.2006; Rregulloren e Komisionit EC 2008/450.

     

    Në zbatim të ligjit nr. 61/2012 është miratuar VKM 612/2012, datë 09.05.2012 “Mbi Dispozitat Zbatuese të Ligjit nr. 61/2012 mbi Akcizat”, i ndryshuar, përmes të cilit Shqipëria është duke përdorur praktikat më të mira të legjislacionit francez dhe italian.

     

    Dokumenta ndihmëse