Projektligje të miratuara në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, datë 31 Tetor 2018:

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR

 

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në nenin 4 “Burimi i të ardhurave”, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

  1. Shkronja “dh” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“dh) të ardhurat nga:

  1. pasuria e paluajtshme, aksesorët dhe frytet e tyre, si dhe të ardhurat që rrjedhin nga të drejtat mbi pasuritë e paluajtshme që ndodhen në Republikën e Shqipërisë;
    ii. të drejtat për shfrytëzimin e pasurive minerale, të drejtat për shfrytëzimin e pasurive hidrokarbure ose të drejta të tjera për shfrytëzimin e burimeve natyrore tokësore dhe ujore, përfshirë detin në Republikën e Shqipërisë, si dhe informacionit që u përket këtyre të drejtave;
    Të drejtat dhe informacioni i përmendur në nënndarjet “i” dhe “ii”, më sipër, për qëllime të këtij ligji trajtohen si pasuri e paluajtshme.”.
    2. Shkronja “e” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“e) të ardhurat nga tjetërsimi i:
i. pasurisë, të drejtave dhe informacionit të përmendur në shkronjën “dh”, të këtij neni;
ii. aksioneve ose interesave të ngjashme, të tilla si interesat në ortakëri ose truste, sipas përkufizimeve në legjislacionet përkatëse, kudo që ndodhen, në qoftë se, në çdo kohë gjatë 365 ditëve para tjetërsimit, këtyre aksioneve ose interesave të ngjashme ju buron më shumë se 50 për qind e vlerës direkt ose indirekt nga pasuria e paluajtshme, të drejtat ose informacioni, të përmendura në shkronjën “dh” të këtij neni.”.

  1. Shkronja “h” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“h) të ardhurat e një personi joresident, të përftuara si rezultat i shërbimeve të kryera për një person resident.”.

Neni 2

Në nenin 9 “Tarifat tatimore”, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

  1. Në pikën 2, fjalët “Dividendët, të ardhurat që rrjedhin si fitim i ortakut, qoftë ky ortak i vetëm …” hiqen.
  2. Pas pikës 2 shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Dividendët, të ardhurat që rrjedhin si fitim i ortakut, qoftë ky ortak i vetëm, tatohen me 8 për qind.”.

Neni 3

Në pikën “1”, të nenit 16, shtohet shkronja “ç”, me këtë përmbajtje:

“ç) çdo person joresident që nuk parashikohet nga shkronjat “a”, “b” ose “c”, të kësaj pike, dhe që nuk i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat.”.

Neni 4

Në nenin 21 “Shpenzime të panjohura”, shtohet shkronja “o”, me këtë përmbajtje:
“o. shpenzimet për dieta që tejkalojnë 50 për qind të fondit të pagës bruto vjetore.”.

Neni 5

Pas nenit 27 shtohet neni 27/1, me këtë përmbajtje:
“Neni 27/1
Ndryshimi i pronësisë

  1. Nëse gjatë një periudhe tatimore pronësia direkte dhe/ose indirekte e kapitalit aksionar, kuotave, ose e të drejtave të votimit të një personi juridik ndryshon me më shumë se 20% në vlerë ose numër aksionesh, kuotash, personi juridik trajtohet si të jetë duke shitur një pjesë proporcionale të të gjitha pasurive të tij menjëherë përpara ndryshimit. Personi juridik trajtohet si:
  2. a) përfitues i të ardhurave nga shitja, e barabartë kjo me pjesën proporcionale të vlerës së tregut të aktivit në atë kohë; dhe
    b) riblerës i aktivit për të njëjtën vlerë.
  3. Kur një person juridik paguan tatimin mbi fitimin, sipas këtij ligji, bazuar në pikën 1 të këtij neni, çdo ndryshim pronësie i aksioneve ose interesave të ngjashme që shkaktojnë ndryshimin është i përjashtuar nga tatimi mbi fitimin.
  4. Një person juridik i cili është subjekt i një ndryshimi të përmendur në pikën 1 të këtij neni, duhet të njoftojë autoritetet tatimore me detajet e ndryshimit brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga koha kur ka ndodhur ndryshimi.
  5. Personi juridik duhet të njoftojë administratën tatimore për një ndryshim pronësie të drejtpërdrejtë ose të tërthortë prej 10% ose më shumë të kapitalit të saj ose të të drejtave të votës. Ndryshimi i pronësisë duhet të jetë objekt i nënndarjes “ii”, të shkronjës “e”, të nenit 4, të këtij ligji. Njoftimi duhet të kryhet brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga ndryshimi i pronësisë. Kjo dispozitë nuk zbatohet në rastet kur zbatohet pika 3 e këtij neni.
  6. Në rast të mosnjoftimit të autoriteteve tatimore, personi juridik dënohet sipas penaliteteve të përcaktuara në ligjin “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 6

Pas nenit 30 shtohet neni 30/1, me këtë përmbajtje:

“Neni 30/1
Deklarimi dhe pagesa nga persona joresidentë specifikë
1. Një personi joresident, të përcaktuar sipas shkronjës “ç”, të pikës 1, të nenit 16, të këtij ligji, i kërkohet të përgatisë një deklaratë të të ardhurave të tatueshme, sipas udhëzimit të ministrit përgjegjës për financat. Deklarata duhet të dorëzohet sipas afatit të përcaktuar në nenin 29, të këtij ligji.

  1. Në kohën e paraqitjes së deklaratës sipas pikës 1, të këtij neni, personi joresident duhet të paguajë shumën e tatimit të deklaruar. Nenet 30 dhe 37, të këtij ligji, nuk zbatohen për këto raste.”.

Neni 7

Në nenin 33 “Mbajtja në burim e tatimit mbi të ardhurat”, pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Të gjithë personat residentë në Republikën e Shqipërisë, organet e qeverisjes qendrore e vendore, organizatat jofitimprurëse dhe çdo subjekt tjetër, i njohur nga legjislacioni në fuqi, janë të detyruar të mbajnë tatimin në burim nga shuma bruto e pagesave të mëposhtme, që lindin nga një burim në Republikën e Shqipërisë, sipas shkallëve të mëposhtme:

1.1. 15 për qind për:

  1. a) interesat dhe pagesat e ngjashme me to;
    b) pagesat për të drejtat e autorit dhe për pronësinë intelektuale;
    c) pagesat për shërbimet teknike, shërbimet e menaxhimit, shërbimet e konsulencës, shërbimet financiare dhe ato të sigurimit;
    ç) pagesat për menaxhimin dhe pjesëmarrjen në këshillat drejtues;
    d) pagesat për ndërtimin, instalimin, montimin ose për punë mbikëqyrëse që lidhen me to;
    dh) pagesat për qiratë;
    e) pagesat për shfaqjet e aktorëve, të muzikantëve ose sportistëve, përfshirë pagesa të tilla që u bëhen personave të cilët punësojnë artistë ose sportistë apo ndërmjetësojnë për shfaqjet e tyre;
    ë) të ardhurat e individëve nga lojërat e fatit dhe kazinotë.

1.2. 8 për qind për:

  1. a) dividendët:
    b) ndarjet e fitimit.”.

Neni 8

Në nenin 38 “Dispozita kalimtare”, shtohet pika 9, me këtë përmbajtje:

“9. Norma e tatimit mbi dividendin në shkallën 8% do të aplikohet edhe për fitimet e pashpërndara të realizuara në vitet 2018 e më parë, përfshirë rezervat dhe fitimet e kapitalizuara, me kusht që tatimi mbi dividendin, që i përket fitimeve të pashpërndara të viteve 2017 e më parë, të paguhet brenda datës 30 shtator 2019, ndërsa tatimi mbi dividendin për fitimin e vitit 2018 të paguhet brenda datës 20 gusht 2019.”.

Neni 9

Pasqyra nr.1 “Tabela për tatimin mbi të ardhurat personale nga punësimi”, bashkëlidhur ligjit, zëvendësohet me pasqyrën nr.1, që i bashkëlidhet këtij ligji.

Neni 10

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2019.

 

 

 

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.9920, DATË 19.05.2008, “PËR PROCEDURAT TATIMORE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83 pika 1, 113, pika 1, shkronja “ç”, 155 dhe 157, pika 3, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

Në nenin 40, “Regjistrimi i personave, që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe jotregtare”, në fund të pikës 1, shtohet fjalia, me këtë përmbajtje:

“Një person fizik me të njëjtin numër të identifikimit personal regjistrohet vetëm një herë nga Qendra Kombëtare e Biznesit. Atij i lind e drejta të regjistrohet dhe të pajiset me një NIPT/NUIS të ri nga Qendra Kombëtare e Biznesit, vetëm mbas çregjistrimit të NIPT-it/NUIS-it ekzistues.”.

Neni 2

Në nenin 43, “Përditësimi i të dhënave të regjistrimit”, pas pikës 1/1, shtohet pika 1/2, me këtë përmbajtje:

“1/2. Edhe personi fizik tregtar i pajisur me NIPT/NUIS, për çdo veprimtari të re që kërkon të regjistrojë, pajiset me një certifikatë, me numër unik identifikimi të njëjtë me atë të regjistrimit, por me numër serial të ndryshëm, me qëllim identifikimin e vendndodhjes të veprimtarisë së re.”.

Neni 3

Në nenin 44, “Kalimi në regjistrin pasiv”, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

  1. Në fund të shkronjës “c”, të pikës 1, shtohen fjalët “… dhe paguan të gjitha detyrimet tatimore.”.
  2. Pas pikës “4”, shtohet pika “4/1”, me këtë përmbajtje:

“4/1. Kalimi në regjistrin pasiv të tatimpaguesve persona fizikë dhe juridikë, nga Qendra Kombëtare e Biznesit, bëhet duke verifikuar më parë pagimin e detyrimeve tatimore nga ana e tyre. Verifikimi në administratën tatimore bëhet në rrugë elektronike brenda të njëjtës ditë pune.”.

  1. Pika 7 ndryshon, me këtë përmbajtje:

“7. Administrata tatimore qendrore publikon në faqen zyrtare të internetit të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe përditëson mbi baza ditore listën e tatimpaguesve që janë në regjistrin pasiv.

Çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit, persona fizikë apo juridikë, tregtarë, që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet, si më poshtë vijon:

  1. a) Për shitësin, i cili është në regjistrin pasiv, bëhet vlerësim tatimor dhe dënim, në përputhje me nenin 116 të këtij ligji;
    b) Për blerësin, vlerësim tatimor për mosnjohjen e TVSH-së së zbritshme dhe të shpenzimit.

Gjithashtu, çdo transaksion i kryer nga tatimpaguesit aktivë, persona fizikë apo juridikë tregtarë, me tatimpaguesit që janë në regjistrin pasiv, konsiderohet shkelje administrative dhe dënohet, si më poshtë vijon:

  1. a) shitësi aktiv, në përputhje me pikën 2, të nenit 128, të këtij ligji. Ky dënim nuk aplikohet në rastet kur, për arsye teknike, lista e tatimpaguesve në regjistrin pasiv nuk është përditësuar nga administrata tatimore;
    b) blerësi në regjistrin pasiv, me vlerësim tatimor të detyrimit dhe dënim, në përputhje me nenin 116 të këtij ligji.”.

Neni 4

Neni 45, me titull “Çregjistrimi i subjekteve tatimore”, ndryshon në titull dhe në përmbajtje, si më poshtë vijon:

“Neni 45
Çregjistrimi i subjekteve/tatimpaguesve

  1. Subjektet/tatimpaguesit, të cilët janë regjistruar në administratën tatimore, sipas pikave 1 deri 4, të nenit 40, dhe të nenit 42, të këtij ligji, çregjistrohen nga regjistri i administratës tatimore vetëm mbas çregjistrimit të tyre në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe/ose në Gjykatë.

Subjektet/tatimpaguesit, të cilët janë të regjistruar në administratën tatimore, sipas pikës 4.1, të nenit 40, çregjistrohen nga drejtoritë rajonale tatimore, sipas procedurave të përcaktuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.

  1. Data e çregjistrimit të tatimpaguesit në administratën tatimore është data e çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit ose në Gjykatë, për të gjitha subjektet që çregjistrohen pranë tyre.

Data e çregjistrimit të personave juridikë publikë apo të ngjashme me to, si dhe të institucioneve e organizatave ndërkombëtare, është data e aktit/vendimit të mbylljes nga institucioni përkatës.

Datë e çregjistrimit për subjektet/tatimpaguesit e tjerë është data e miratimit të çregjistrimit të tyre nga administrata tatimore.

  1. Çregjistrimi i subjekteve/tatimpaguesve, që janë pjesë e regjistrit të Qendrës Kombëtare të Biznesit

3.1. Çregjistrimi i subjektit/tatimpaguesit nga regjistri i administratës tatimore fillon në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe, mbas çregjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit, bëhet çregjistrimi në regjistrin e administratës tatimore.

3.2. Qendra Kombëtare e Biznesit, me marrjen e kërkesës për çregjistrim të personit fizik, njofton menjëherë organin tatimor në rrugë elektronike mbi datën e kërkesës për çregjistrimin e tij.

Për personat juridikë, Qendra Kombëtare e Biznesit njofton statusin e shoqërisë në likuidim, dhe në vijim, kur shoqëria dorëzon raportin përfundimtar të likuidimit, dërgon në organin tatimor datën e paraqitjes së këtij raporti.

Për personat juridikë, që kryejnë çregjistrimin nëpërmjet procedurave të bashkimit apo ndarjes së shoqërive, Qendra Kombëtare e Biznesit dërgon në organin tatimor përkatës vendimin përfundimtar të miratimit të bashkimit/ndarjes së shoqërive.

3.3. Administrata tatimore, brenda 10 ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim të personave fizikë, apo paraqitjes së raportit përfundimtar të likuidimit për personat juridikë, është e detyruar të verifikojë dhe të vlerësojë situatën tatimore të subjektit/tatimpaguesit në llogarinë e tij në kontabilitetin dhe sistemin e të dhënave që disponon. Për situatën tatimore të subjektit/tatimpaguesit, si dhe për deklaratat e padorëzuara nga ai, administrata tatimore njofton brenda këtyre 10 (dhjetë) ditëve tatimpaguesin.

Kur administrata tatimore, sipas analizës së riskut, gjykon se është e nevojshme të ushtrojë kontroll në mjedisin ku kryen veprimtarinë subjekti, ky kontroll dhe pasqyrimi i tij në situatën e tatimpaguesit nuk mund të zgjasë më shumë se 30 (tridhjetë) ditë pune.

Komunikimi me Qendrën Kombëtare të Biznesit, për detyrimet tatimore dhe deklaratat e padorëzuara të tatimpaguesit, do të bëhet në rrugë elektronike, në kohë reale, sipas marrëveshjes dypalëshe dhe protokollit elektronik të komunikimit ndërmjet Qendrës Kombëtare të Biznesit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.

3.4. Qendra Kombëtare e Biznesit nuk mund të kryejë çregjistrimin e subjektit, në qoftë se në situatën e tatimpaguesit në kohë reale rezultojnë  detyrime tatimore të papaguara të tatimpaguesit dhe deklarata tatimore të padorëzuara, si dhe në rast se ai nuk ka paraqitur pasqyrat financiare të mbylljes së aktivitetit deri në momentin e mbylljes. Në raste të veçanta, kur deklaratat apo pasqyrat financiare nuk janë dorëzuar nga subjektet, komunikimi ndërmjet organit tatimor dhe Qendrës Kombëtare të Biznesit mund të bëhet me postë elektronike (e-mail) ose dhe me shkresë zyrtare.

3.5. Nëse në situatën në kohë reale të tatimpaguesit/subjektit nuk ka detyrime tatimore të papaguara, si dhe deklarata të padorëzuara, Qendra Kombëtare e Biznesit kryen menjëherë çregjistrimin e tatimpaguesit, duke njoftuar menjëherë në rrugë elektronike administratën tatimore për datën e çregjistrimit të tij.

  1. Çregjistrimi i subjekteve/tatimpaguesve që likuidohen në Gjykatë.

4.1. Gjykata, me marrjen e kërkesës për çregjistrim prej subjektit/tatimpaguesit, njofton menjëherë organin tatimor kompetent për regjistrimin e hapjes së procedurave të likuidimit dhe në vijim për paraqitjen e raportit përfundimtar të likuidimit. Ky njoftim bëhet edhe për personat juridikë që likuidohen dhe çregjistrohen në gjykatë sipas dispozitave të ligjit “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” apo subjekteve/tatimpaguesve që hyjnë në procedura falimentimi.

4.2. Administrata tatimore, brenda 10 (dhjetë) ditëve pune nga data e paraqitjes së kërkesës për çregjistrim në gjykatë, është e detyruar të verifikojë situatën tatimore të subjekteve dhe njofton gjykatën dhe subjektin mbi këtë situatë. Kur organi tatimor, sipas analizës së riskut, gjykon se është e nevojshme të ushtrojë kontroll në mjedisin ku ushtron veprimtarinë subjekti, atëherë ky kontroll, pasqyrimi i tij në situatën e tatimpaguesit dhe njoftimi i gjykatës nuk mund të zgjasin më shumë se 30 (tridhjetë) ditë kalendarike.

4.3. Gjykata nuk mund të kryejë çregjistrimin, në qoftë se brenda afatit të 30 (tridhjetë) ditëve administrata tatimore e kundërshton me shkrim çregjistrimin. Kundërshtimi i çregjistrimit të tatimpaguesit nga administrata tatimore tregon shumën e detyrimeve tatimore të papaguara të tatimpaguesit dhe faktin që nuk ka dorëzuar deklarata tatimore apo nuk ka paraqitur pasqyrat financiare të mbylljes së aktivitetit deri në momentin e likuidimit përfundimtar.

Nëse organi tatimor nuk i përgjigjet gjykatës brenda afatit 30-ditor, gjykata çregjistron subjektin/tatimpaguesin dhe njofton në të njëjtën ditë organin tatimor dhe tatimpaguesin.

4.4. Kur subjekti paguan detyrimet e papaguara në kohë, administrata tatimore njofton menjëherë gjykatën dhe vetë subjektin se ai nuk ka detyrime tatimore të papaguara. Gjykata kryen çregjistrimin dhe dërgon në administratën tatimore dokumentin e çregjistrimit të subjektit, përfshirë datën e çregjistrimit.

  1. Çregjistrimi i subjekteve/tatimpaguesve që regjistrohen vetëm në regjistrin e administratës tatimore, sipas pikës 4.1, të nenit 40, të ligjit, dhe që janë të regjistruara në drejtoritë rajonale tatimore me procedura të thjeshtuara, si: ambulantë, përfaqësues tatimorë, fermerë, individë etj., bëhet pranë drejtorive rajonale tatimore përkatëse, sipas procedurave të thjeshtuara të parashikuara në udhëzimin e ministrit përgjegjës për financat.
  2. Subjektet e regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit/gjykatë dhe në administratën tatimore çregjistrohen nga regjistri elektronik pasi të kenë paguar të gjitha detyrimet tatimore, përfshirë detyrimet që lindin në rastin kur çregjistrimi kryhet me likuidim. Në rastin e falimentit, subjekti/tatimpaguesi do të çregjistrohet sipas vendimit të gjykatës me statusin “i falimentuar”.
  3. Nëse pavarësisht se detyrimi tatimor për të cilin është kundërshtuar çregjistrimi është shlyer, por administrata tatimore nuk e ka tërhequr kundërshtimin, subjekti/tatimpaguesi paraqet pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit apo gjykatës dokumentin që vërteton shlyerjen e detyrimeve tatimore. Në këtë rast Qendra Kombëtare e Biznesit apo gjykata kryejnë menjëherë çregjistrimin dhe njoftojnë administratën tatimore dhe tatimpaguesin.
  4. Çregjistrimi i subjektit/tatimpaguesit në Qendrën Kombëtare të Biznesit apo gjykatë nuk eliminon detyrimet tatimore të papaguara dhe nuk e ndalon administratën tatimore të vlerësojë ose të mbledhë me forcë detyrimet tatimore.”.

Neni 5

Në nenin 68, “Vlerësimi tatimor”, në pikën 8, fjalët “…, me vlerë deri në 100 (një qind) lekë,…” zëvendësohen me fjalët “…, me vlerë deri në 1 000 (një mijë) lekë, …”.

Neni 6

Në nenin 71, “E drejta për të përdorur mënyra alternative vlerësimi”, pas shkronjës “ë”, shtohet shkronja “f”, me këtë përmbajtje:

“f) tatimpaguesi me status “person fizik tregtar”, i cili, për qëllime të shmangies tatimore dhe minimizimit të detyrimit tatimor, regjistron/mban më tepër se një numër identifikimi unik të subjektit, dhe dorëzon deklarata të veçanta për çdo NIPT/NUIS.”.

Neni 7

Pas nenit 71/1, shtohet neni 71/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 71/2
Përdorimi i metodave alternative të vlerësimit në rastet e veprimeve për shmangien e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor

  1. Në rastet kur një apo disa tatimpagues kryejnë një veprim/transaksion apo seri veprimesh/transaksionesh direkte apo indirekte me persona të tretë, ku:
  2. a) veprimet e ndërmarra nga tatimpaguesi deformojnë parimet e ligjit tatimor;
  3. b) veprimet/transaksionet nuk bazohen në parimin e vlerës së tregut;
  4. c) veprimet/transaksionet janë pa efekte ekonomike thelbësore;

ç) forma e veprimit/ transaksionit nuk reflekton thelbin e tij ekonomik;

  1. d) evidentohen elementë të veprimeve/transaksioneve që synojnë shmangien ose uljen e detyrimeve tatimore,

për përcaktimin e detyrimit tatimor, administrata tatimore nuk merr parasysh një veprim/transaksion apo një seri veprimesh/transaksionesh, të cilat, duke qenë se janë ndërmarrë me synim përfitimin e një avantazhi tatimor që vjen në kundërshtim me qëllimin e ligjit, rezultojnë fiktive në bazë të të gjitha fakteve dhe rrethanave.

  1. Kur një veprim/transaksion apo seri veprimesh/transaksionesh janë në kushtet e pikës 1 më sipër, veprimi/transaksioni rikarakterizohet dhe detyrimi tatimor llogaritet në përputhje me dispozitat për vlerësimin tatimor alternativ të këtij ligji dhe ligjeve të tjera tatimore. Në këto raste, barrën e provës e ka kryesisht administrata tatimore.”.

Neni 8

Në nenin 75, “Detyrimet tatimore të paguara më tepër”, pas pikës 2, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Kompensimi nga teprica kreditore i detyrimeve tatimore brenda çdo tatimi, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kryhet automatikisht nga sistemi informatik.”.

Neni 9

Në nenin 79, “Radha e pagesës së kontributeve dhe të detyrimeve tatimore”, në krye të pikës 1, shtohet fjalia me përmbajtje, si më poshtë vijon:

“Pagesat e kryera për çdo tatim, përveç pagesave për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, fillimisht do të shkojnë për të mbyllur detyrimet më të hershme brenda të njëjtit lloj detyrimi, në qoftë se këto detyrime nuk janë në proces apelimi, gjykimi apo në marrëveshje të pagesës me këste të detyrimeve tatimore të papaguara.”.

Neni 10

Në nenin 89, “Njoftimi dhe kërkesa për të paguar”, pika 1 ndryshon me përmbajtje, si më poshtë vijon:

“1. Kur administrata tatimore konstaton se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, ajo i dërgon atij, me postë rekomande ose në rrugë elektronike, një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor. Për njoftimin dhe kërkesën për të paguar detyrimet tatimore zbatohen afatet dhe procedurat e parashikuara në nenin 69 të këtij ligji”.

Neni 11

Në nenin 90, “Urdhri i bllokimit të llogarive bankare të tatimpaguesit”, në pikën 1, në fjalinë e parë, pas fjalëve “… çdo banke, …” shtohen fjalët “… me postë rekomande ose në rrugë elektronike, …”.

Neni 12

Në nenin 103, “Procedurat për deklarimin e detyrimit tatimor si të pambledhshëm dhe fshirja/shuarja e tij”, bëhen ndryshimet dhe shtesat, si më poshtë vijon:

  1. Pika 7 ndryshon, si më poshtë vijon:

“7. Pas deklarimit të pambledhshëm të detyrimit tatimor ose të një pjese të tij, organi tatimor evidenton në regjistrin kontabël detyrimet që janë deklaruar të pambledhshme në zbatim të ligjit.”.

  1. Pas pikës 7, shtohen pikat 8 e 9, me këtë përmbajtje:

“8. Fillimi i procedurës për deklarimin e detyrimit tatimor si të pambledhshëm mund të bëhet me kërkesë nga ana e tatimpaguesit ose kryesisht nga ana e organit tatimor.

  1. Administrata tatimore publikon çdo vit vlerën totale të detyrimeve tatimore të deklaruara si të pambledhshme, numrin e kërkesave në total dhe numrin e kërkesave të pranuara.”.

Neni 13

Në nenin 107, “Pagesa e detyrimit tatimor, objekt ankimi”, në pikën 2, në fund të fjalisë shtohen fjalët “…, si dhe kamatëvonesat e llogaritura.”.

Neni 14

Në nenin 115, “Plotësim i pasaktë i deklaratës tatimore”, pas pikës 2, shtohet pika 3, me këtë përmbajtje:

“3. Deklarim i pasaktë konsiderohet edhe rasti kur, si rezultat i një kontrolli tatimor, bëhet rivlerësim në ulje i tepricës kreditore të tatimpaguesit. Në këtë rast tatimpaguesi penalizohet me gjobë 20 % të diferencës ndërmjet tepricës kreditore të deklaruar me tepricën kreditore që duhej deklaruar.”.

Neni 15

Pas nenit 115/1, shtohet neni 115/2, me këtë përmbajtje:
“Neni 115/2
Dënimet për mosnjoftimin e ndryshimeve në lidhje me ndryshimin e pronësisë

Nëse një person juridik nuk njofton administratën tatimore lidhur me ndryshimet e pronësisë, sipas kërkesave të nenit 27/1, “Ndryshimi i pronësisë”, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, ai është përgjegjës dhe dënohet, si më poshtë vijon:

  1. a) Për shkeljen në rastin e pikës 3, të nenit të sipërpërmendur, 15 (pesëmbëdhjetë) për qind të vlerës së tregut të aktiveve të trajtuara si me ndryshim pronësie;
  2. b) Për shkeljen në rastin e pikës 4, të nenit të sipërpërmendur, 5 (pesë) për qind të vlerës së tregut të aksioneve ose interesave të ngjashme që u ka ndryshuar pronësia.

Dënimi, sipas shkronjës “b” më sipër, nuk zbatohet kur vërtetohet që personi nuk ishte në dijeni të ndryshimit të pronësisë apo nuk ka të dhëna, prova apo fakte që të besohet se personi duhet të ishte në dijeni.”.

Neni 16

Në nenin 124, “Kundërvajtjet në lëshimin e faturave tatimore, dëftesave tatimore dhe dokumentimin e transaksioneve”, pas paragrafit të pikës 1, shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje:

“Nëse tatimpaguesi pranon vlerësimin tatimor dhe e paguan detyrimin, gjoba, sipas paragrafit më lart të kësaj pike, zbritet me 30 (tridhjetë) për qind.”.

Neni 17

Në nenin 129, “Dënimet për tatimpaguesit, që janë banka apo institucione financiare”, në fund të shkronjës “ç”, shtohet fjalia me këtë përmbajtje:

“Në çdo rast, shuma e gjobës që zbatohet nuk mund të jetë më e madhe se shuma e kërkuar për t’u bllokuar.”.

Neni 18

Në nenin 135, “Nxjerrja e akteve nënligjore”, pasi pikës 2, shtohet pika 2/1, me këtë përmbajtje:

“2/1 Ngarkohet ministri përgjegjës për financat për nxjerrjen e aktit nënligjor në lidhje me procedurat dhe kriteret e zbatimit të nenit 71/2, lidhur me përdorimin e metodave alternative të vlerësimit, në rastet e veprimeve për shmangien e tatimit dhe abuzimit me parimet e ligjit tatimor.”.

Neni 19

Hyrja në fuqi

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2019.

 

 

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR.92/2014, “PËR TATIMIN MBI VLERËN E SHTUAR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, dhe 155, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, bëhen shtesat dhe ndryshimet, si më poshtë vijon:

Neni 1

Në nenin 49 “Shkallët e reduktuara”, pas pikës 5 shtohen pikat 6 dhe 7, me këtë përmbajtje:

“6. Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e shërbimit të reklamave nga media audiovizive, është 6 për qind.

  1. Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e mjeteve të transportit publik të udhëtarëve me autobus me dhjetë vende ose më shumë, vetëm me motor elektrik, është 10 për qind.”.

Neni 2

Në nenin 51 “Përjashtimi i disa veprimtarive me interes të përgjithshëm”, pas shkronjës “m” shtohet shkronja “n”, me këtë përmbajtje:
“n) Furnizimi i makinave bujqësore. Lista e makinave bujqësore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 3

Në nenin 53 “Përjashtime për disa veprimtari të tjera”, bëhen këto ndryshime:

  1. Në shkronjën “j” fjalët “… dhe nga media elektronike …” hiqen.
  2. Pas shkronjës “k” shtohet shkronja “l”, me këtë përmbajtje:

“l) Kryerja nga nënkontraktorët e furnizimit të shërbimeve të përpunimit të mallrave joshqiptare të destinuara për t’u rieksportuar, për personat e tatueshem të autorizuar mbi bazën e dispozitave që parashikon Kodi Doganor, për operacione nën regjimin e përpunimit aktiv.
Ministri përgjegjës për financat përcakton me udhëzim dokumentacionin e nevojshëm për zbatimin e përjashtimit.”.

Neni 4

Në nenin 56 “Përjashtime të veçanta në import”, bëhen këto ndryshime:

  1. Pika 41 shfuqizohet.
  2. Pas pikës 41 shtohet pika 42, me këtë përmbajtje:

“42. Importimi i lëndëve të para që përdoren për prodhimin e barnave, me përjashtim të lëndëve me përdorim të dyfishtë, të kryera nga mbajtësit e autorizimit të prodhimit, sipas legjislacionit të fushës për barnat. Lista e lëndëve të para për prodhimin e barnave përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.”.

Neni 5

Ky ligj botohet në “Fletoren zyrtare” dhe hyn në fuqi më 1 janar 2019.

 

 

P R O J E K T L I GJ

PËR

DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.9632, DATË 30.10.2006, “PËR SISTEMIN E TAKSAVE VENDORE”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të neneve 78, 83, pika 1, 113, pika 1, shkronja “ç”, 155 e 157, pika 3, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

 

V E N D O S I:

 

Në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime dhe shtesa:

Neni 1

Në nenin 3, “Përkufizime”, pika 5 ndryshon, si më poshtë vijon:

“5. “Niveli tregues i taksës” janë nivelet e taksave të parashikuara sipas këtij ligji, si dhe në anekset bashkëlidhur ligjit.”.

Neni 2

Në nenin 5, “Rregulla të përbashkëta për taksat vendore”, në fjalinë e parë, fjala “… bashkisë: …” zëvendësohet me fjalët “… bashkia, nëpërmjet këshillit bashkiak: …”.

Neni 3

Në nenin 21, “Rregulla të përbashkëta të taksës mbi pasurinë e paluajtshme”, bëhen këto ndryshime:

  1. Në pikën 2.1, fjalët “…, në anekset 2 dhe 2.1, …” zëvendësohen me fjalët “…, në anekset 1 dhe 2, …”;
  2. Në pikën 3, fjalët “… të parashikuar në aneksin 2, …” zëvendësohen me “… të parashikuar në aneksin 1, …”.

Neni 4

Në pikën 6, të nenit 22, “Taksa mbi ndërtesat”, bëhen këto ndryshime:

  1. Shkronja “ë” ndryshohet, si më poshtë vijon:

“ë) ndërtesat e banimit, të deklaruara si vendbanim nga kryefamiljarët që përfitojnë pension pleqërie/pension social, kur familja e tyre përbëhet nga pensionistë të vetëm, ose dhe me persona në ngarkim të tyre, që janë të paaftë për punë;”.

  1. Në shkronjën “g”, në fund të fjalisë shtohen fjalët “…, të cilat përdoren vetëm për qëllime jofitimprurëse …”.

Neni 5

Shkronja “c”, e nenit 22/4, “Përgjegjësitë e Drejtorisë së Përgjithshme të Taksës së Pasurisë”, ndryshohet, si më poshtë vijon:

“c) vlerëson vlerën e pasurisë së paluajtshme për ndërtesat me metodat e përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave, si dhe detyrimin për taksën e pasurisë ndërtesë.”.

Neni 6

Në pikat 1 e 2, të nenit 23, “Taksa mbi tokën bujqësore”, fjalët “… në aneksin 2, …” zëvendësohen me fjalët “… në aneksin 1, …”.

Neni 7

Në pikat 1 e 2, të nenit 23/1, “Taksa mbi truallin”, fjalët “… në aneksin 2.1, …” zëvendësohen me fjalët “… në aneksin 2, …”.

Neni 8

Në nenin 24, “Vërtetimi i pronësisë për efekt të detyrimit për pagimin e taksave”, në fjalinë e tretë, fjala “… bashkitë …”, zëvendësohet me fjalët “…bashkitë dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Taksës së Pasurisë …”.

Neni 9

Në nenin 27, “Taksa e ndikimit në infrastrukturë”, bëhen ndryshimet, si më poshtë vijon:

  1. Në fjalinë e parë, të pikës 1, pas fjalëve “… e investimit të ri që kërkohet të kryhet…” shtohen fjalët “…, sipas preventivit, …”.
  2. Pika 2 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“2. Në rastin e ndërtimeve të destinuara për qëllime banimi apo për njësi tregtimi dhe shërbimi, të cilat kryhen nga shoqëri ndërtimi, shkalla e taksës së ndikimit në infrastrukturë është në masën 4 (katër) për qind deri në 8 (tetë) për qind të çmimit të shitjes për metër katror.

Në këtë kategori investimesh përfshihen edhe ndërtimet zëvendësuese për qëllime banimi, të kushtëzuara për t’u ndërtuar si shkak i zbatimit të një kontrate koncesionare, e cila prek banesat ekzistuese. Gjithashtu, në këtë kategori përfshihen edhe ndërtimet e destinuara për qendra tregtare apo të biznesit.

Baza e taksës është vlera në lekë për metër katror e çmimit të shitjes së ndërtimeve për qëllime banimi apo të njësive të tregtimit dhe shërbimit. Çmimi i shitjes për metër katror bazohet në vlerën referuese të vlerës së tregut, sipas përcaktimeve të nxjerra me akt të Këshillit të Ministrave.”.

  1. Pika 3 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“3. Në rastin e ndërtimeve, të ndryshme nga ato të përcaktuara në pikën 2 të këtij neni, niveli i taksës shprehet si përqindje e vlerës së investimit dhe:

  1. a) për ndërtime që destinohen për përdorim në sektorin e turizmit, të industrisë, të bujqësisë, të ndërtimeve individuale për qëllime të përdorimit vetjak nga individët, të ndërtuara nga vetë individi apo me sipërmarrës, si dhe të ndërtimeve për qëllime publike, taksa e ndikimit në infrastrukturë është 1 (një) deri në 3 (tre) për qind e vlerës së investimit, ndërsa për Bashkinë e Tiranës është 2 (dy) deri në 4 (katër) për qind e saj.
  2. b) për projekte të infrastrukturës, për ndërtimin e rrugëve kombëtare, të porteve, të aeroporteve, të tuneleve, të digave, të ndërtimit të infrastrukturës në energji, përfshirë makineritë dhe pajisjet për këto projekte, taksa e ndikimit në infrastrukturë të ndërtimeve të reja është 0.1 (zero pikë një) për qind e vlerës së investimit, por jo më pak se kostoja e rehabilitimit të infrastrukturës së dëmtuar, kur kjo kosto nuk është përfshirë në preventivin e investimit.
  3. c) për ndërtesat, të cilat janë në proces legalizimi, taksa e ndikimit në infrastrukturë e ndërtimeve të reja është 0.5 (zero pikë pesë) për qind e vlerës së investimit. Leja e legalizimit lëshohet vetëm pasi të jetë vërtetuar pagesa e taksës nga taksapaguesi.”.

Neni 10

Neni 32, “Taksa të tjera”, ndryshon në titull dhe në përmbajtje, si më poshtë vijon:

“Neni 32
Taksa e tabelës

  1. Taksa e tabelës zbatohet për të gjitha subjektet, të cilët vendosin tabela, të lëvizshme apo të palëvizshme, për të identifikuar veprimtarinë e tyre ose për qëllime reklamimi të veprimtarisë së tyre apo dhe për të tretë, që vendosen në pamjen ballore të vendndodhjes së veprimtarisë, ose brenda territorit të përbashkët në qendrat tregtare, ose në hapësira jashtë vendndodhjes së veprimtarisë, qofshin këto publike ose private.
  2. Për qëllime të zbatimit të këtij ligji, tabelat kategorizohen në:
  3. a) Tabelë për qëllime identifikimi të veprimtarisë së subjektit, e trupëzuar ose jo, brenda territorit ku zhvillohet veprimtaria dhe që nuk përdoret për të reklamuar veprimtaritë e të tretëve. Në të tilla tabela shënohet emri ose logoja dhe/ose veprimtaria e subjektit. Në rastin e përdorimit të më shumë se një tabele identifikuese, vetëm njëra do të konsiderohet e tillë.
  4. b) Tabelë për qëllime identifikimi jashtë territorit ku zhvillohet veprimtaria e subjektit në formën dhe përmasat e tabelave për orientim. Këto tabela shërbejnë vetëm si tabela orientuese dhe vendosen jashtë territorit ku zhvillohet aktiviteti, për orientimin e klientelës apo të publikut drejt vendndodhjes së veprimtarisë së subjektit.
  5. c) Tabelë për qëllime reklamimi, e lëvizshme ose e palëvizshme, e vendosur në pamje ballore ose jo ballore në vendin ku zhvillohet veprimtaria e subjektit, ose në hapësira të përbashkëta në qendrat tregtare, ose në hapësira të tjera publike apo private, si: tarraca, lozha, ballkone, fasada, trotuare, shtylla, mbajtëse ajrore mbi pjesë të rrugëve qytetase apo kombëtare etj., që kanë përmbajtje reklamimi për vete apo të tretët dhe që shërben si reklamë për të njoftuar, për të tërhequr vëmendjen ose për të joshur blerësit.

ç) Tabelë në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola etj.

  1. Taksa e tabelës është taksë vjetore. Bën përjashtim rasti kur tabela vendoset në funksion të ekspozimeve të ndryshme të hapura, panaire, spektakle, stenda reklamuese, banderola etj., për të cilat taksa llogaritet dhe paguhet vetëm për periudhën kohore të lejes së dhënë nga njësia e vetëqeverisjes vendore.
  2. Tabela përmban shkronja, logo, simbole apo figura, që mundësojnë identifikimin e veprimtarisë së taksapaguesit apo që shërbejnë për qëllim orientimi, reklamimi ose ekspozimi. Si bazë vlerësimi për llogaritjen e taksës shërben sipërfaqja në metër katror që zë tabela në të gjithë shtrirjen e saj. Në rastin kur tabela përbëhet vetëm nga shkronja të veçuara, simbole, logo apo figura të vendosura, të gdhendura apo të pikturuara mbi një sipërfaqe ekzistuese, si: mur, fasadë e jashtme e çdo lloji, shtyllë, kolonë, apo të ngjashme me to, dhe jo nga një sipërfaqe e vetme e shtrirë e shkruar, e stampuar apo e pikturuar brenda saj, e cila vendoset mbi një sipërfaqe ekzistuese, si bazë vlerësimi për llogaritjen e taksës shërben sipërfaqja që zënë të gjitha shkronjat, figurat, logot dhe simbolet që formojnë tabelën.

Kur në sipërfaqen e tabelës identifikuese përfshihen edhe shkronja, simbole dhe figura për qëllime reklamimi të një apo më shumë produkteve apo shërbimeve që furnizohen nga vetë njësia, ku është vendosur tabela, kjo tabelë vlerësohet si tabelë identifikuese dhe taksa llogaritet për këtë kategori tabele. Në rast të kundërt, tabela vlerësohet si tabelë reklamimi dhe taksa llogaritet për tabelën për qëllime reklamimi.

Në rast të përdorimit nga taksapaguesi të më shumë se një tabele identifikuese, përveç atyre orientuese, vlerësohet si tabelë identifikuese vetëm ajo tabelë që është e trupëzuar ose jo në njësinë apo brenda territorit ku ushtrohet veprimtaria e taksapaguesit, ose që ndodhet më pranë njësisë, ose vetëm një nga tabelat, kur ka më shumë se një të tillë në njësinë apo territorin ku ushtrohet veprimtaria e tij. Çdo tabelë tjetër e tillë konsiderohet si tabelë për qëllime reklamimi dhe taksa llogaritet dhe paguhet për këtë kategori tabele.

  1. Nivelet e taksës së tabelës, sipas kategorizimeve të përcaktuara në pikën 2, të këtij neni, jepen në aneksin 7, që i bashkëlidhet këtij ligji.
  2. Këshilli bashkiak është autoriteti, i cili vendos nivelin e bazës së taksës për çdo kategori të tabelës të dhënë në aneksin 7, që i bashkëlidhet këtij ligji, dhe miraton procedurën e mbledhjes së kësaj takse.”.

Neni 11

Neni 32/1, “Taksa e tabelës”, shfuqizohet.

Neni 12

Në fund të pikës 4, të nenit 35, “Tarifat vendore dhe administrimi i tyre”, shtohet paragrafi i dytë, me këtë përmbajtje:

“Për rrjetet kabllore telefonike, ndërlidhëse apo të shërbimit informatik, tarifat vendore vendosen vetëm në rastin kur subjektet përdorin rrjetet infrastrukturore, si: tubacione, kanale etj., të cilat janë ndërtuar dhe janë në pronësi të njësive të vetëqeverisjes vendore. Të ardhurat e siguruara prej tyre shërbejnë për përballimin e shpenzimeve për mirëmbajtjen e rrjetit në përdorim.”.

Neni 13

Kudo në ligj, ku përdoren fjalët “… organet e qeverisjes vendore …”, zëvendësohen me fjalët “… njësitë e vetëqeverisjes vendore …”.

Neni 14

Aneksi 4, “Taksa e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve të transportit rrugor”, aneksi 5, “Tabela e taksimit të biznesit të vogël”, dhe aneksi 6, “Niveli tregues i taksës së zënies së hapësirës publike”, shfuqizohen.

Neni 15

Anekset 2, 2.1, 3 dhe 8 zëvendësohen përkatësisht me anekset 1, 2, 3 dhe 8, që i bashkëlidhen këtij ligji.

Neni 16

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletore zyrtare”.